Në 25 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës u vlerësua lartë puna dhe përkushtimi i pjesëtarëve të këtij institucioni në mbrojtjen dhe sigurinë e vendit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Policia e Kosovës gjatë këtij çerekshekulli vazhdon të jetë një nga institucionet më të besuara dhe respektuara, duke qenë në krye në ndërtimin e një shoqërie ku mbizotëron rendi dhe ligji.Derisa vlerësoi lartë sakrificën e pjesëtarëve të rënë në krye të detyrës, e para e vendit theksoi se PK-ja duhet të vazhdojë të zhvillojë kapacitetet dhe aftësitë saj në hapa të sigurtë, në mënyrë që të jetë e gatshme për t’iu përgjigjur kërcënimeve të reja.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Policia e Kosovës u bë prej institucioneve të para që me fisnikëri dhe besueshmëri i shërbeu qytetarëve të vendit, derisa synim e kishin rimëkëmbjen.Ai u shpreh krenar dhe mirënjohës me arritjen e Policisë së Kosovës përgjatë këtyre viteve, derisa shtoi se shërbimi me integritet dhe profesionalizëm janë drejtimet me të cilat duhet të fuqizohet edhe më tej ky institucion.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla vlerësoi lartë angazhimin dhe punën e Policisë së Kosovës përgjatë këtyre 25 viteve.
Ai tha se Policia e Kosovës vazhdon të jetë gardian në sundimin e ligjit dhe mbajtjen e stabilitetit në vendin tonë.
Në ceremoninë qendrore u prezentua për herë të parë himni i Policisë së Kosovës.
Më 6 shtator të vitit 1999, misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, hapi shkollën e policisë dhe filloi trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.