Greqia e interesuar për bashkëpunim në TIK e burime të ripërtërira të energjisë
Biznes
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka pritur sot në një takim zëvendësministrin e Jashtëm të Greqisë, njëherësh përgjegjës për diplomacinë ekonomike të këtij vendi, Kostas Fragogiannis.

Rizvanolli në takim diskutoi mbi të arriturat në teknologjinë informative dhe komunikuese, ku potencoi rritjen në vitin 2023 në 25% nga 2022, kur avancimi vjetor në fushën e TIK-ut ishte 13%, dhe falë kësaj rritjeje janë punësuar rreth 10 mijë persona, si dhe 70% e kompanive të sektorit eksportojnë shërbimet e tyre.

Ajo njoftoi zëvendësministrin grek edhe mbi të arriturat në fushën e BRE-ve siç ishte suksesi i ankandit të parë solar 100 MW si dhe ankandet tjera të radhës që janë pjesë e pakos investive ku Ministria e Ekonomisë synon të ndërtojë 950 MW kapacitete të reja të energjisë së ripërtërira me një investim total 1.2 miliard euro.

Projekti i ardhshëm i cili pritet të zhvillohet është procedura konkurruese për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë nga era me 150 MW me përkrahje të USAID dhe IFC si këshilltar transaksioni, proces ky i cili pritet të merr formën së shpejti.

Greqia është një nga shembujt e mirë në prodhimin e energjisë ku kompanitë kanë ekspertizën dhe përvojën e duhur pasi që rreth 65 % e energjisë së prodhuar është e pastër, andaj ministrja Rizvanolli kërkoi nga zëvendësministri Fragogiannis të ftojë kompanitë greke për investime në fushën e energjisë në Kosovë.

Fragogiannis shprehu interesimin e Greqisë për bashkëpunim kryesisht në zhvillimin e infrastrukturës së TIK-ut dhe Burimeve të Ripërtërira të Energjisë (BRE), si dhe ritheksoi qëndrimin e vendit të tij që shtetet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e BE-së dhe se Athina zyrtare është përkrahëse e këtij rrugëtimi. 

Ndryshe, Kostas Fragogiannis në Forumin Ekonomik, i cili mbahet sot në mes të Kosovës dhe Greqisë, merr pjesë me 16 kompani greke me qëllim të rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve, me fokus të veçantë në energjinë e ripërtërirë, TIK, turizëm etj.

Ky forum mbahet para pjesëmarrjes së ministres Rizvanolli në Forumin e 8-të të energjisë në Evropën Juglindore, në Selanik.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024