Stano: Kosova të shmangë veprimet e pakoordinuara, mund të rrisin tensionet në veri
Lajme
Lexohet për: 3 min.
4 javë më parë
Linku u kopjua
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se janë në kontakt të vazhdueshëm me palët në Kosovë pas aksioneve të fundit të Policisë në veri ku u mbyllën pesë institucione paralele.
Sipas tij, situata në veri është e paqëndrueshme dhe se shqetësimi i tyre është se veprime të tilla të pakoordinuara mund të kontribuojnë në rritjen e tensioneve dhe përshkallëzimin e situatës.
“Bashkimi Evropian është në kontakt të vazhdueshëm me homologët kosovarë në nivele të ndryshme, në formate të ndryshme, dhe ne po i përcjellim mesazhet dhe pritjet tona shumë qartë. Nuk do ta përsëris atë që thamë në reagimin tonë të javës së kaluar, kur u zhvillua aksioni në veri të Kosovës kundër disa institucioneve të drejtuara nga serbët lokal atje. Por në fund të fundit, ne kemi një çështje, kemi një situatë, e cila tashmë është goxha e paqëndrueshme, dhe shqetësimi ynë kryesor është, dhe ky është mesazhi kryesor për autoritetet e Kosovës që të shmangin çdo veprim dhe hap që janë të njëanshëm, të pakoordinuar, dhe mund të kontribuojë në rritjen e tensioneve dhe përshkallëzimin e situatës edhe më shumë”, ka thënë Stano në një konferencë për media.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se të gjitha çështjet duhet të zgjidhen në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Pra, ne po angazhohemi me partnerët në Kosovë, po i japim këto mesazhe dhe shpresojmë që më në fund të mundohemi t'i zgjidhim këto çështje, të nevojshme, t'i zgjidhim këto çështje aty ku i takojnë dhe i përkasin para së gjithash në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka shtuar ai.
Më 30 gusht, autoritetet e Kosovës mbyllën pesë institucione paralele serbe në veri të Kosovës.
Sipas zyrtarëve shtetërorë në Kosovë, ato institucione kanë shkelur kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
Institucionet e mbyllura më 30 gusht ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.