BSH: Rritja ekonomike u shoqërua me rritje të punësimit dhe të pagave
Lajme
Lexohet për: 3 min.
4 javë më parë
Linku u kopjua

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi sot Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2024.

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, veprimtaria e sistemit financiar vazhdoi ecurinë pozitive. Pavarësisht efektit pakësues të mbiçmimit të kursit të këmbimit, në sektorin bankar depozitat u zgjeruan dhe ritmi i rritjes së kredisë u përshpejtua.

Në tërësi, rezistenca e veprimtarisë bankare ndaj rreziqeve ishte e mirë, në kushtet kur kapitalizimi i veprimtarisë mbeti i qëndrueshëm dhe fitimi vijoi të përmirësohej me ritme të kënaqshme.

Sipas Deklaratës, zhvillimet ekonomike gjatë periudhës ishin pozitive, ndikuar nga ecuria e mirë e konsumit dhe e investimeve, si edhe qëndrueshmëria e performancës së turizmit.

Rritja ekonomike u shoqërua me rritje të punësimit e të pagave dhe ulje të normës së papunësisë. Gjendja financiare e familjeve dhe e bizneseve vlerësohet e përmirësuar gjatë periudhës. Politika fiskale ruajti prirjen konsoliduese në kushtet e rritjes së ndjeshme të të ardhurave fiskale. Presionet inflacioniste vijuan të bien dhe norma e inflacionit zbriti nën objektivin e Bankës së Shqipërisë, duke sjellë uljen prej saj të normës bazë të interesit.

Megjithatë, rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend mbeten të pranishëm. Ata burojnë kryesisht nga pasiguria që mbartin zhvillimet gjeopolitike, por mund të zhvillohen edhe në kushtet e një optimizmi që shoqërohet me veprime të pakujdesshme nga ana e agjentëve ekonomikë.

Ndaj, në Deklaratë vlerësohet se të gjithë agjentët e ekonomisë kanë mundësinë ta shfrytëzojnë këtë periudhë të veprimtarisë për të konsoliduar bilancet e tyre financiare, për të përmirësuar kapacitetet administruese në përgjithësi dhe të rreziqeve në veçanti, si edhe për të rritur eficiencën e veprimtarisë.

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij.

Në Deklaratën e Stabilitetit Financiar (publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji “Për Bankën e Shqipërisë”) Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, veprimtaria e sistemit financiar vazhdoi ecurinë pozitive./ATSH

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024