Skepticizëm për progres në dialog pavarësisht paralajmërimeve për vizitë të Lajçak
Tema
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Progresi në dialog vlerësohet se do të jetë i vogël, përkundër që gjatë kësaj jave emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak pritet të qëndrojë në Kosovë. Ani pse i njëjti ka paralajmëruar një raund të ri të dialogut në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve, njohësit e procesit të dialogut thonë se zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit do të jetë i vështirë, derisa Kosova është në një vit elektoral dhe Serbia refuzon nënshkrimin e marrëveshjes.

Analisti politik, Arbnor Sadiku, thotë për KosovaPress se deri në mesin e vitit 2025 nuk pret të ketë diçka konkrete drejt zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, ku përfshihet edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ndërkaq, profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, thotë se emisari Lajçak nuk do të ketë hapësirën që e ka pasur më herët në dialog, me emërimin e Kaja Kallas si shefe e politikës së jashtme të BE-së.

Megjithatë, ai thotë se ndërkombëtarët po insistojnë të ketë lëvizje konkrete drejt zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

Sipas tij, ky presion mund të prodhojë diçka pozitive gjatë muajve në vijim që të ketë lëvizje drejt zbatimit të ujdive.

Në lidhje me vizitën e Lajçak, KosovaPress ka kërkuar një përgjigje nga Zyra e Zëvendëskryeministrit, njëherësh kryenegociatorit, Besnik Bislimi, mirëpo të njëjtit nuk kthyen përgjigje.

Ditë më parë, emisari Lajçak ka paralajmëruar një vizitë në Kosovë si dhe një raund të ri të diskutimeve në nivel të kryeneogciatorëve në Bruksel.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024