Nis mësimin tërëditor shkolla Model “Qamil Batalli", njëra nga 5 shkollat e planifikuara të fillojnë deri në fund të muajit
Lajme
Lexohet për: 4 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Me lule në duar, e fytyra të buzëqeshura presin të njoftohen me mësuesit e tyre. Të gatshëm për fillimin e një kapitulli të ri, oborri i shkollës e rruga përreth janë dëshmitarë të emocioneve të prindërve e fëmijëve. Në fillim të këtij viti të ri shkollor, shkolla "Model-Qamil Batalli" ka filluar implementimin e mësimit tërë-ditor. Nxënësit e klasave të para do të nisin mësimin nga ora 07:45 deri në orën 14:30. Klasat e treta dhe të katërta deri në orën 15:20, ndërkaq klasat e pesta deri në orën 16:00.

Hazbije Gashi, e cila është nënë e dy fëmijëve që sot filluan klasën e parë ka mirëpritur këtë vendim të Komunë së Prishtinës.

“Shumë mirë e kemi pritur këtë vendim, për prindërit që janë nëpër puna është shumë e mirë....Unë i kam dy binjakë, janë në klasën e parë, kanë qenë në kopsht më herët tash janë këtu...Mendoj që është më mirë, është orari më i gjatë normalisht gjithë më mirë, si për detyra si për krejt”, shprehet ajo për KosovaPress.

Shkolla "Model-Qamil Batalli" është një nga pesë shkollat që do të implementojë mësimin tërë-ditor në kryeqytet.

Drejtori i kësaj shkolle, Liridon Maliqi thotë se janë përgatitur dhe janë të gatshëm që të organizojnë në këtë formë mësimin. 

Sipas kërkesës së prindërve dhe psikologëve, nxënësit e klasave të para do të mbarojnë mësimin në orën 14:40.

“Klasat e para sipas kërkesës së prindërve dhe psikologëve të konsultuar nga komuna natyrisht që prej orës 07:45 do të qëndrojnë deri në orën 14:30, përkatësisht 14:40 pasdite. Klasat e treta dhe të katërta deri pas orës 15:20, ndërkaq klasat e pesta deri në orën 16:00. Kështu do të organizohet dita me ndërrimin e paradites, ku do të ketë orë kurikulare dhe të pasdites me orë ekstra kurikulare dhe aktivitete të cilat forcojnë shkathtësitë e fëmijëve, afinitetet, mangësitë të cilët mund t’i kenë”, shprehet Maliqi.

Drejtori i shkollës "Model-Qamil Batalli" tregon se si do të vijojë dita për pesë gjeneratat që do të mbajnë mësimin tërë-ditor.

“Mësimi fillon nga ora 08:30 por prindërit mund t’i sjellin fëmijët nga ora 07:45. Ndërkaq nga 07:45 deri në 08:30 vetëm qëndrojnë dhe e ngrënë ushqimin që e kanë nga shtëpia e tyre dhe presin, adaptohen me libra e lapsa, fletore në bankat e tyre. Nga ora 08:30 fillon ora e parë e mësimit, pastaj i kanë dy, përkatësisht tri orë dhe pastaj fillon dreka, tri orë kurikulare dhe pastaj fillon dreka që shtrohet nga kuzhina qendrore e Prishtinës brenda shkollës sonë dhe vazhdohet pastaj me orët ekstra kurikulare. Një orë kurikulare dhe vazhdohet me orët ekstra kurikulare tutje deri te koha e (zamrës) apo një past shujtë që mund të jetë në fund të ditës. Dhe natyrisht do ta mbajnë edhe një orë tjetër relaksuese, do të kenë mundësi të shikojnë filma apo të mbajnë orët tjera ekstra kurikulare dhe të vazhdojnë për në shtëpi”, përfundon ai.

Nga klasa përgatitore e deri në klasën e pestë, kjo shkollën numër mbi 840 nxënës. Ndërkaq, mësimi për klasat nga e gjashta deri në të nëntën do të vijojë në shkollën “Emin Duraku”.

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu ka njoftuar se sot mësimi tërë-ditor ka filluar vetëm në dy shkollat, në “Shkolla e Gjelbër” dhe shkolla “Model-Qamil Batalli”, ndërsa më 30.09.2024 do të vijojë në shkollën “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa” dhe “Nazim Gafurri” në Prishtinë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024