115 vjet më parë, nga data 2-9 shtator 1909, në qytetin e Elbasanit u zhvillua një ngjarje e shënuar në historinë e arsimit, shkollës e kulturës shqiptare, që në histori njihet si "Kongresi i Elbasanit" apo "Kongresi i shkollave shqipe", ku morën pjesë 35 përfaqësues nga 28 klube e shoqëri patriotike, brenda e jashtë territorit shqiptar.
Midis delegatëve të kongresit kishte veprimtarë të njohur të lëvizjes kombëtare si edhe mësues atdhetarë, siç ishin Orhan Pojani, Grigor Cilka, Gjergj e Sevasti Qiriazi, Ahmet Dakli, Refit Toptani, Hamdi Ohri, Nikollë Kaçori, Andrea Konomi, Idhomen Kosturi, Kahreman Vrioni, etj.Programi kulturor e arsimor që hartoi Kongresi i Elbasanit parashtronte njohjen zyrtare të gjuhës shqipe në të gjithë sistemin ekzistues arsimor dhe përhapjen e mëtejshme të arsimit në gjuhën shqipe. Kongresi parashtroi edhe nevojën e krijimit të një shkolle të mesme në Elbasan.Ishin traditat e shkëlqyera patriotike, arsimore e kulturore dhe figurat e spikatura të Rilindjes Kombëtare të këtij qyteti që ndikuan në zgjedhjen e tij. "Njerëzia e Elbasanit jo vetëm tani, por edhe në kohët despotike, ishin quar për dashurinë e tyre për gjuhën shqipe", shkruante Mit'hat Frashëri në ditarin e tij.
Kongresi i Elbasanit i dha një shtytje të re lëvizjes për shkollën dhe për arsimin kombëtar në përgjithësi. Të mbështetur në vendimet e tij, atdhetarët shqiptarë ngritën në Korçë, më 20 shtator 1909, Shoqërinë qendrore shkollore "Përparimi", në kryesinë e së cilës u zgjodhën atdhetarët e njohur Orhan Pojani (kryetar), Stavri Karoli, Idhomenë Kosturi e Mihal Gramenoja.Jehona e Kongresit të Elbasanit
Punimet e Kongresit të Elbasanit patën jehonë brenda dhe jashtë vendit. Kalendari "Korça", në titullin "Kongresi i Elbasanit", shkruante se "ky kongres është më i shënuari nga të gjithë kongreset. Me vendimet që mori e la emrin e tij të pa vdekur nëpër faqet e historisë sonë". Ndërsa e përkohshmja "Italia për të huajt" (L'Italia al estero) do të theksonte se "në Elbasan u mbajt një kongres i madh, ku morën pjesë shqiptarë të shkëlqyer, me qëllim që të vënë në udhë të gjitha ato që janë të nevojshme për përparimin dhe paqen e Shqipërisë".