Ligji i Sponsorizimit, klubet ankohen për vonesa të vërtetimeve
Tema
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua
Ligji i Sponsorizimit konsiderohet t’i këtë dhënë një shtytje të madhe zhvillimit të sportit në Kosovë duke bërë që shumë klube të përfitojnë financiarisht nga bashkëpunimi me bizneset vendore.
Por, jo gjithçka po shkon mirë në terren sa i përket funksionimit të tij pasi klubet ankohen se komisioni për lëshimin e vërtetimeve të sponsorizimeve brenda Ministrisë së Sportit po e vonon lëshimin e tyre përtej afateve ligjore dhe se kjo po ndikon direkt në pagesat që klubet duhet t’ua bëjnë lojtarëve dhe stafit të tyre.
Drejtori i përgjithshëm i klubit të futbollit Gjilani Syart Rrahmani thotë për KosovaPress, se ka klube që varen direkt nga të ardhurat nga ky ligj dhe se vonesat po e komplikojnë funksionimin e tyre.
Edhe pse thotë se si klub nuk kanë pasur shumë probleme në këtë drejtim, drejtori i KF Prishtina 01, Samir Borovci thotë për KosovaPress se ka raste kur për vonesa të tilla komisioni i MKRS-së arsyetohet për mungesë të stafit sidomos në periudhën e pushimeve.
Megjithëse afati ligjor është që një vërtetim sponsorizimi të lëshohet brenda 21 ditësh, Lendrit Palushi nga klubi i basketbollit Ylli thotë se këtë vit kanë hasur në probleme për marrjen e vërtetimeve dhe se ato janë vonuar.
Ndryshe, me Ligjin e Sponsorizimit iu hap rruga bizneseve që të investojnë në sport dhe 30 për qind e fitimit në tatim mund ta ndajnë për sportin.