KQZ: Deri më tash tri koalicione për zgjedhjet e reja parlamentare 2025
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se është duke vazhduar periudha për deklarimin e partive politike për formimin e koalicioneve për zgjedhjet e reja parlamentare që mbahen më 9 shkurt 2025.
Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi tha se deri më tani KQZ ka pranuar deklarimet e tri koalicioneve ndërmjet partive politike të regjistruara: Partia Demokratike e Unitetit dhe Iniciativa Balli, me emrin e koalicionit: PDU – BALLI KOMBIT.
Koalicioni i dytë është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, me emrin AAK – ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS, NISMA – NISMA SOCIALDEMOKRATE, LISTA KONSERVATORE, FORUMI INTELEKTUAL – E – 30.
Ndërsa koalicioni i tretë është Nasha Iniciativa dhe Boshnjaçka Stranka Kosova, me emrin Nasha Boshnjaçka Koalicija.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të regjistruara në Kosovë, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit, duhet që më së largu deri më 30 gusht 2024, në ora 16:00 ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike.
Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike dhe partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jetë certifikuar, derisa rezultatet e zgjedhjeve të certifikohen, ka përkujtuar Elezi.
Gjithashtu, partia politike që është anëtare e koalicionit nuk mund të merr pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo si parti politike e veçantë në të njëjtat zgjedhje.
Më 30 gusht 2024 (ora 16:00) përfundon edhe afati për partitë politike që ta njoftojnë Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike për mospjesëmarrje në zgjedhje.
Ndryshe, deri më tani, Partia Demokratike e Diasporës dhe Lëvizja për Bashkim, kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje.