Vendimi për rritjen e pagës minimale në 350 euro, ndonëse i mirëseardhur nga qytetarët, vlerësohet të jetë e pamjaftueshëm, dhe e vonuar, për shkak siç thonë, çmimeve të larta tek produktet bazike. Njëjtë vlerësojnë edhe njohës të ekonomisë, të cilët shprehen se një vendim i tillë do të ishte duhur të merrej në fillim të mandatit, derisa shtojnë, se këto vendime po vinë në kohë fushate.
Njohësi i ekonomisë, Besnik Avdija derisa thotë se duke marrë parasysh normat e inflacionit, kjo shumë është e pamjaftueshme për t’i plotësuar kërkesat e qytetarëve, shpreson se ky vendim të mirëpritet edhe nga komuniteti i biznesit.Në anën tjetër ky vendim është mirëpritur edhe nga bizneset. Afaristi, Ramiz Kelmendi thotë se është e mirë që paga minimale po aranzhohet me orë të punës, dhe jo si pagë minimale pa marrë parasysh sa janë orët e punës.
Ndërkaq, të pakënaqur me këtë shumë të këtij vendimi shprehen qytetarët. Qytetari, Shaban Pajaziti, derisa thotë se 350 euro janë të pamjaftueshme për të mbajtur familjen, thotë se edhe vlera rreth 500 euro do të ishte pikëpyetje nëse do të ndihmonte për të tejkaluar krizën me rritjen e çmimeve.Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që paga minimale të jetë 350 bruto në muaj. Ky vendim do të hyjë në fuqi më 1 tetor, derisa kryeministri Albin Kurti tha se do të preken mbi 150 mijë të punësuar, kryesisht në sektorin privat. Në mbledhjen e sotme, qeveria miratoi edhe projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.
Kreu qeveritar tha se paga minimale prej 264 euro, e rritur para dy viteve por hyrë në fuqi ditë më parë është i vjetërsuar dhe pamjaftueshëm, andaj vlera e pagës minimale do të jetë 350 euro bruto në muaj.