Bota nuk e njeh shumë Nënë Terezën si bijë e popullit shqiptar, por bota i njeh shqiptarët si popull i Nënë Terezës.
Kështu u tha në akademinë solemne të organizuar nga Ipeshkëvia Prizren-Prishtinë në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, me rastin e ditëlindjes së Shën Nënë Terezës me të cilën janë hapur edhe “Ditët e Nënë Terezës”, që zgjasin deri më 5 shtator.
Në Qendrën BogdaniPolis në Prishtinë, në nderim të jetës dhe veprës së Shën Nënë Terezës, morën pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Tregëtisë, Rozeta Hajdari dhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku.
Kurti ka thënë se Nënë Tereza është shqiptarja e pare që ka fituar çmimin Nobel për paqe, duke u bërë nënë për të varfëritë.
Ndërsa, ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji ka shtuar se bota e njeh popullin shqiptarë si populli i Nënë Terezës, e cila adhurohet, nderohet dhe luten për të në mbarë botën.
“Ne sot po e kujtojmë një bijë të popullit tonë, e cila nuk ka bë asnjë gjë më të veçantë, përveç se ka shpallë dashurinë e vet….bota nuk e njeh shumë Nënë Terezën si bijë e popullit shqiptar, por bota i njeh shqiptarët si popull i Nënë Terezës….sot adhurohet, nderohet dhe lutën në mbarë botën. Ta hapim zemrën e të mësojmë prej saj, ta hapim shpirtin dhe ta gëzojmë me shembullin e saj, siç thotë ajo “njerëz të thjeshtë por që bëjnë vepra të mëdha,” ka shtuar ai.
Kurse, vikari gjeneral i Kosovës, Don Lush Gjergji, la një mesazh duke thënë që “ ta mbajmë të gjallë jetën dhe veprën e saj”.
Gjithashtu, ai citoi disa fjalë të Shën Nënës Terezë dhe tregoi histori për jetën dhe veprat e saj.
Kjo akademi do të zgjatë deri me 5 shtator, me aktivitete të ndryshme.