Macron: Arrestimi i shefit ekzekutiv të Telegram nuk është vendim politik
Tjera
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka thënë se arrestimi i shefit ekzekutiv të Telegram në Francë u bë në kuadër të një hetimi gjyqësor që po vazhdon dhe nuk është në asnjë mënyrë një vendim politik.

Macron ka shkruar në X, se ka parë informacione të rreme në lidhje me Francën pas arrestimit të Pavel Durov.

Sipas tij, Franca është thellësisht e përkushtuar ndaj lirisë së shprehjes dhe komunikimit, ndaj inovacionit dhe frymës së sipërmarrjes dhe kështu edhe do të mbetet.

“Në një shtet të së drejtës, liritë ruhen brenda një kuadri ligjor, si në mediat sociale ashtu edhe në jetën reale, për të mbrojtur qytetarët dhe për të respektuar të drejtat e tyre themelore. I takon gjyqësorit, në pavarësi të plotë, të zbatojë ligjin. Arrestimi i shefit ekzekutiv të Telegram dje në tokën franceze u bë në kuadër të një hetimi gjyqësor që po vazhdon. Nuk është në asnjë mënyrë një vendim politik. Është në dorën e gjyqtarëve që të vendosin për këtë çështje”, ka shkruar ai.

Pavel Durov, themeluesi dhe shefi ekzekutiv i aplikacionit për dërgimin e mesazheve Telegram, u arrestua dje në një aeroport pranë Parisit mbrëmjen e së shtunës, raportuan mediat franceze duke cituar burime.

Durov, një miliarder me shtetësi ruse dhe franceze, thuhet se udhëtoi nga Azerbajxhani me një avion privat për në Francë, ku u arrestua në aeroportin Bourget.

Ai pritet të dalë pra gjykatës të dielën e 25 gushtit, për akuza që kanë të bëjnë me aplikacion e njohur Telegram.

Autoritetet franceze nuk kanë komentuar rreth arrestimit të tij.

Por, njëri prej burimeve tha se OFMIN, një zyrë franceze për parandalimin e dhunës kundër të miturve, kishte kërkuar fletarrestim për Durovin pas një hetimi fillestar rreth dyshimeve për shkelje si, mashtrim, trafikim droge, krim të organizuar dhe promovim të terrorizmit.

Kjo platformë me bazë në Dubai, e cila zotëron mbi 900 milionë përdorues në gjithë botën, u themelua nga Durov më 2013.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024