Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve N.L., K.H., dhe K.L., për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale “Mashtrimi” në vazhdim dhe bashkëkryerje si dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se gjatë periudhës kohore 2020-2022, i pandehuri N.L., në vazhdim me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror përvete me anë të paraqitjes së rreme të fakteve i detyron të dëmtuarit të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, në atë mënyrë që u premton të njëjtëve se do të mund t’u sigurojë kontrata pune në bazat ushtarake amerikane në Irak, Afganistan dhe Poloni, ashtu që për sigurimin e këtyre kontratave të punës, u kërkon shuma të të hollave në vlera nga 3000 mijë deri në 6000 mijë euro.“Dëmi total nga veprimet e të pandehurit arrin shumën rreth 80 mijë euro, me çka ka kryer veprën penale në vazhdim “Mashtrimi”. Po ashtu, sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit N.L, dhe K.H., në vazhdim dhe bashkëkryerje me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete, kanë mashtruar disa të dëmtuar në atë mënyrë që u premtojnë të njëjtëve se do të mund të sigurojnë kontrata pune në baza ushtarake amerikane në Irak, Afganistan dhe Poloni, duke i detyruar të dëmtuarit të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, ashtu që për sigurimin e këtyre kontratave të punës, u kërkojnë shuma të të hollave në vlera nga 3000 mijë deri në 6000 mijë euro, ashtu që të dëmtuarit ua dorëzojnë qoftë me para të gatshme apo përmes transferve bankare, të cilat të holla pastaj i ndajnë së bashku dhe pavarësisht që të dëmtuarit presin me muaj të tërë, kontratat e punës nuk arrijnë të i sigurojnë asnjëherë, si dhe të hollat nuk ua kthejnë”, thuhet në komunikatë
Prokuroria thekson se ata kanë kryer veprën penale në vazhdim dhe në bashkëkryerje “Mashtrimi”.Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtor për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.