Mbi një mijë punëtorë teknikë dhe ta të sigurimit nga Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, shkollave të mesme, shkollave fillore, Universitetit të Prishtinës, të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës do të hyjnë në grevë që nga muaji shtator. Ata po kërkojnë rritje të pagave nga 275 euro sa i marrin aktualisht në 405 euro.
Kështu bëri të ditur, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi pas takimit të mbajtur me përfaqësuesit e shoqatave sindikale të QMF-së në Prishtinë, të shkollave, të sigurimit të QKUK-së dhe të UP-së.Ndërkaq, punëtorët teknik të UP-së ende nuk kanë vendosur se kur do të hyjnë në grevë.
Përfaqësuesja e shoqatës sindikale të QMF-së në Prishtinë, Emine Sahiti u shpreh e zhgënjyer nga mos mbajtja e premtimeve që pagat e tyre të rriten.Po ashtu, edhe përfaqësuesja e punëtorëve teknik të Kuvendi të Kosovës, Nazife Krasniqi tha se kanë bërë disa herë kërkesë për rritje të pagave, porse nuk kanë marrë përgjigje pozitive. Ajo tha se puna pas orarit, udhëtimi dhe ushqimi nuk paguhen, për çka shtoi se kjo pagë nuk është e mjaftueshme për ta.
Ndërkaq, përfaqësuesi i punëtorëve teknik nga shkolla fillore e mesme e ulët “Shkolla e gjelbër”, Ruzhdi Ademi tha se ndihen të diskriminuar ngase gjysma e stafit janë me kompani private ndërkaq të tjerët me atë të komunës.