Haradinaj tha se ish-presidenti i Serbisë e liroi vetëm Kurtin nga burgu, reagon deputeti i VV-së
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli ka reaguar pasi kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ish-presidenti i Serbisë, Vojsallav Koshtunica ka nënshkruar faljen vetëm për një shqiptar, e ai është Albin Kurti.

“Mos e harroni një fakt, Vojsallav Koshtunica është profesor i Kushtetueses. Kështu ai duke qenë profesor dhe president i Serbisë ka nënshkruar faljen vetëm për një shqiptar, për zotrinë Albin Kurti. Koshtunica si profesor i Kushtetueses, bukur vështirë me besuar që e ka nënshkruar lëndën për Kurtin pa materien e nevojshme. Edhe unë i shoh këto të ndërlidhura dhe pasojat në vazhdimësi. Të gjitha punët që Kurti i ka kryer në veri, ato as nuk ishin përmend dhe ishin kryer pa asnjë incident dhe pa asnjë përkeqësim të marrëdhënieve me aleatet tanë. Të gjitha këto ky i bën me e fsheur deficitin patriotik, me fsheh rrugën e vetë të dyshimtë edhe agjendën  tij të dyshimtë”, ka thënë Haradina sot në një konferencë për media.

Ndërkohë, deputetiDugolli ka shkruar në Facebook se Ramush Haradinaj nuk po e thotë të vërtetën

“Duke dëgjuar një konferencë për media të Ramush Haradinajt me partnerët e tij politik, në mesin e shumë huqjeve të tij, dëgjova edhe njëherë një gënjeshtër të kulluar sa i takon lirimit të Albin Kurtit nga burgjet serbe. Z.Haradinaj tha se është "..Albin Kurti është i vetmi që është liruar nga burgu nga Koshtunica..."  Duke qenë se edhe vetë kam qenë peng i luftës dhe i burgosur politik konfirmoj me përgjegjësi të plotë morale e ligjore se jo vetëm z.Kurti, por janë liruar qindra të burgosur politik që mbaheshin pengje në burgjet serbe, pas presionit të madh publik e diplomatik ndërkombëtar ku si rrjedhojë parlamenti serb u detyruar të miraton ligjin për amnisti si formë për të përmbushur një kërkesë të drejtë ndërkombëtare kundrejt të burgosurve shqiptar. Në atë proces jam liruar edhe unë sikurse qindra të burgosur (ka në AAK ish të burgosur që e dinë këtë fakt), ashtu siç është liruar edhe z.Kurti”, ka shkruar Dugolli.

Ai ka shtuar se është mirë që Haradinaj të kërkon falje për këtë gënjeshtër të paskrupullt.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024