Hapja e Urës së Ibrit, EULEX ka këtë qëndrim
Lajme
Lexohet për: 3 min.
3 javë më parë
Linku u kopjua

EULEX-i ka bërë me dije se qëndrimi i BE-së për hapjen e Urës së Ibrit është një çështje dialogu dhe se çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret brenda kornizës së dialogut.

Diskutimet sipas EULEX-it janë duke vazhduar dhe BE-ja është duke u koordinuar ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë në Kosovë.

Andaj sipas EULEX-it, BE-ja u kërkon të gjitha palëve të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm.

Për të kuptuar ndjeshmërinë e situatës, Njësia e Formuar Policore e EULEX-it po kryen patrullime të rregullta mobile të zbulimit në baza 24/7, duke përfshirë - por pa u kufizuar në - afërsinë e urës.

EULEX-i ka thënë për KosovaPress se po kryen patrullat e veta të zbulimit në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, në përputhje me mekanizmin reagues të sigurisë me tre nivele të Kosovës, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti dhe KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë.

“Siguria e të gjitha komuniteteve në Kosovë mbetet prioriteti ynë i parë. EULEX-i mbetet vigjilent dhe, në përputhje me mekanizmin e lartëpërmendur të reagimit të sigurisë të Kosovës, është i gatshëm të mbështesë Policinë e Kosovës nëse kërkohet dhe është e nevojshme për të kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e rendit dhe sigurisë publike në rastet e trazirave civile”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it për KosovaPress.

Ditëve të fundit ka pasur qëndrime të ndryshme të ndërkombëtarëve dhe qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit.

Së fundi emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se çështja e Urës së Ibrit duhet të diskutohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ndërsa tha se pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës kryesore të Ibrit janë çorientuese.

https://kosovapress.com/lajcak-pretendimet-se-be-ja-eshte-kunder-hapjes-se-ures-se-ibrit-jane-corientuese

Derisa të mërkurën zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi tha se hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë nuk është vendim i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës dhe as çështje e mbetur pezull apo e pazgjidhur e procesit të dialogut, por sipas tij është kërkesa kryesore e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë e të ndërmjetësuar nga BE-ja në vitet 2015 dhe 2016.

https://kosovapress.com/bislimi-hapja-e-ures-se-ibrit-eshte-kerkese-e-marreveshjes-kosove-serbi-e-ndermjetesuar-nga-be-ja

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024