Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë Shaip Kamberi ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të bashkëpartiakut të Aleksandar Vuçiq nga partia në pushtet SNS mbi protestën e sotme në Bujanoc.
Dragan Stevanoviq Boske, funksionar i lartë i SNS-it, ka deklaruar se protesta në Bujanoc nuk ka të bëjë me drejtat e shqiptarëve por, gjoja, me humbjen e pushtetit në Bujanoc.“Deri sa të konsultoheni e bashkëpunoni me Kurtin e jo Vuçiq, nuk do t’ju votojnë as vetë shqiptarët”, kishte deklaruar Boske, përkujton Kamberi.
Kamberi thotë se Boske ka fajësuar pushtetet e kaluara të Bujanocit për mungesë të zhvillimit të Bujanocit dhe partitë politike, tashmë opozitare në Bujanoc, se kanë bërë çmos për ta parandaluar koalicionin, kumbarë i të cilit është vetë Dragan Stevanoviq.Ai ka thënë se Boske duhet të tregojë se çka ka bërë ai dhe partia e tij që qeveris me shtetin nga viti 2012 për Bujanocin dhe qytetarët e saj, privatizimin e Banjës së Bujanocit, hapjen e vendeve të punës dhe po ashtu të tregojë se sa shqiptarë janë punësuar në institucionet shtetërore që drejtohen nga SNS.
“Kumbara i koalicionit të Bujanocit, para se të i tregojë shqiptarëve se kë ta dëgjojnë e me kë të konsultohen, do të ishte më mirë ta shtrijë ndikimin e tij në Qeveri, aty ku edhe është funksionarë dhe të fillojë me realizimin e Planit 7 pikësh. Deri atëherë, pasi që ishte krenuar jashtëzakonisht shumë me koalicionin që ka arritur ta formojë në Bujanoc, të mos harrojë të tregojë se sa premtime ia ka realizuar pushtetit të kaluar në Preshevë? Edhe atje bënte koalicionet. Për fund, vartësi i deklaruesit “nëse vrisni një serb do të vrasim 100 myslimanë”, duket thjesht qesharak kur Albin Kurtin e quan “vrasës””, ka përfunduar Kamberi.