Fushata e ish-presidentit Donald Trump tha në një deklaratë se ishte hakuar. Politico raportoi më herët të shtunën se kishte marrë e-mail nga një llogari anonime me dokumente nga brenda operacionit të fushatës së Trump.
“Këto dokumente janë marrë në mënyrë të paligjshme nga burime të huaja armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara, me qëllim që të ndërhyjnë në zgjedhjet e 2024 dhe të mbjellin kaos në të gjithë procesin tonë demokratik”, tha zëdhënësi i fushatës së Trump, Steven Cheung në një deklaratë për CNN.“Të premten, një raport i ri nga Microsoft zbuloi se hakerët iranianë hynë në llogarinë e një ‘zyrtari të rangut të lartë’ në fushatën presidenciale të SHBA-së në qershor 2024, që përkon me kohën e ngushtë të zgjedhjes së presidentit Trump për një kandidat për zëvendëspresident. Kjo vjen pas raporteve të fundit për një komplot iranian për të vrarë presidentin Trump në të njëjtën kohë me tragjedinë e Butler, Penslivani”, tha Cheung, duke iu referuar tentativës për vrasjen e Trump në një tubim muajin e kaluar.
Megjithatë, nuk është e qartë nëse Irani ishte përgjegjës për hakimin. Misioni iranian në OKB tha se "nuk u jep asnjë besim raporteve të tilla".FBI tha në një deklaratë se agjencia "është në dijeni të raportimit të medias dhe se nuk kanë asnjë koment apo informacion të mëtejshëm".
Shtëpia e Bardhë tha të shtunën se dënon çdo përpjekje për ndërhyrje të huaj në zgjedhjet amerikane.