Ne udhëtuam përgjatë bregdetit gjarpërues shqiptar, nëpër kodra të pyllëzuara – pothuajse të eklipsuara nga qendrat tregtare të shndritshme dhe blloqet e apartamenteve – për pesë orë me makinë deri në Sarandë, një qytet turistik – i cili në videot e TikTok është konsideruar si ‘Maldivet e Evropës’, shkruan Alice Murphy në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Metro”.
Por – ndërsa i afrohemi kësaj pjese të famshme të parajsës, ndërtesat bëhen më të shpeshta – duke u formuar si kërpudha – në një grup hotelesh shumëkatëshe në bregun e gjirit në formë patkoi të Sarandës.Por, çfarë do të thotë një rritje e papritur e popullaritetit për Shqipërinë dhe vizitorët e saj?
Si mund të mbrohet bukuria e saj natyrore nga plaga e turizmit masiv?Eksperti i udhëtimeve, Nausheen Farishta tha se bumi i turizmit në Shqipëri është një thikë me dy presa.
“Nga njëra anë, ai sjell mundësi të nevojshme për komunitetet lokale. Por – ne nuk mund të mbyllim një sy ndaj sfidave që vijnë me këtë rritje të shpejtë”, tha themeluesi i “Globe Gazers”.
Ajo raportoi se kryeministri Edi Rama kishte njoftuar se 4,5 milionë vizitorë të huaj kishin vizituar vendin në gjashtë muajt e parë të vitit 2024 – një rritje prej 34% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Një parajsë e përballueshme
Ishim në një udhëtim vajzash, të joshura nga historia magjepsëse dhe videot virale të ujërave bruz dhe rërës së bardhë të pacenuar.
Si shumë vizitorë të tjerë, ne u tërhoqëm nga çmimi. Apartamentet buzë plazhit në qytetet turistike të njohura mund të merren me qira për më pak se 25 euro për një natë – dhe nuk është e pazakontë të gjesh një vakt të plotë me pije (oktapod dhe mohito) për rreth 20 euro.
Fluturimet janë gjithashtu jashtëzakonisht të përballueshme, me Wizz Air që ofron tarifa nga Londra në Tiranë duke nisur nga 68 euro vetëm vajtje.
“Kudo që shkuam kishte plazhe idilike, bare verërash në majë të kodrave, restorante që shërbenin ushqim deti të klasit botëror”, shkruan Jenoa Matthes, një eksperte e udhëtimeve.
“Mendojmë se jemi plotësues në këtë hartë të turizmit mes Kroacisë, Italisë dhe Greqisë”, tha në një intervistë për “The Independent” në fillim të këtij viti, ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro.Pasojat e viteve të turizmit masiv po trondisin Evropën këtë verë, pasi protestat antiturizëm po mbushin rrugët e qyteteve kryesore spanjolle – ndërsa demonstratat po i detyrojnë anijet të ndryshojnë kursin e tyre.
Në Barcelonë, vendasit kanë marrë përsipër të lagin turistët me pistoleta uji. Në fillim të këtij viti, demonstruesit në Ishujt Kanarie organizuan një grevë urie në shenjë proteste ndaj rritjes së numrit të pushuesve.
Është e qartë se bumi i fundit i turizmit i ka ofruar Shqipërisë mundësi të jashtëzakonshme për të gjeneruar zhvillimin ekonomik dhe sfida shqetësuese. /ATSH/