Hapja e urës mbi Ibër, Abdixhiku: Kemi një kryeministër për propagandë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se kërkesa për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë po bëhet nga kryeministri Albin Kurti për qëllime propagande dhe marrjen e votave në zgjedhjet e ardhshme, pasi sipas tij ura  duhet të hapet në pajtim me NATO-n dhe SHBA-të.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se hapja e temës për urën mbi lumin Ibër është pjesë e fushatës paraleketorale nga ana e partisë në pushtet.

“Propaganda e pushtetit sot më shumë është e drejtuar kundër faktorit politik shqiptar, sesa ndaj Serbisë dhe projektit të saj ndarës në Urën e Ibrit. Sepse populistët brengë kanë votat dhe pushtetin, prandaj dhe gjithë ky atak paraelektoral. Fushata ka filluar, por ne refuzojmë këtë përballje pa përmbajtje, prandaj dhe e injorojmë. Injorojeni edhe ju, të dashur qytetarë”< ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka theksuar se ura mbi lumin Ibër duhet të hapet, por ajo nuk është hapur për “shkak të vlerësimeve të NATO-s dhe të SHBA-ve mbi sigurinë.”

“Nëse këto vlerësime ndryshojnë në ndërkohë, kushtet piqen, prezenca e tyre në Urë zhbëhet, e njëjta hapet. Prandaj, sa shpenzon kohë pushteti me atak ndaj faktorit shqiptar, të merret me bindjen e aleatëve tanë. Ky është patriotizëm sot. E nëse i keni bindur, hapeni! Në të kundërtën, hapja e urës pa ta, nënkupton konfrontim me ta. Imazh më të shëmtuar se një ushtar amerikan përballë një polici kosovar nuk ka. Automjeti ushtarak me flamur amerikan, përballë një veture të Policisë së Kosovës, është dhuratë për armiqtë tanë! Këto pamje populli i Kosovës as nuk do t’i pranojë e as nuk do t’i tolerojë. Ne kemi kryeministër për propagandë. Prandaj, mos shpenzoni kohë në këtë fushatë paralektorale të popullistëve”, ka përfunduar Abdixhiku.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024