Michael Davenport: Kthimi i palëve në dialog çështje urgjente
Lajme
Lexohet për: 1 min.
Shefi i Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë Michael Davenport, ka vlerësuar se kthimi në dialog është çështje urgjente.
“Ngjarjet e fundit – mbyllja e zyrave postare në komunat veriore dhe propozimet e përtërira për hapjen e urës në Mitrovicë për trafik – kanë nënvizuar urgjencën e kthimit në dialog. Të dyja këto çështje duhet të zgjidhen në procesin e udhëhequr nga BE”, ka shkruar Davenport në X.
Ai tha se dialogu duhet të jetë i fokusuar në përmirësimin e jetës së njerëzve të zakonshëm në Kosovë.
“Por ky duhet të jetë dialog i fokusuar edhe një herë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të zakonshëm në Kosovë dhe rritjen e perspektivës për të rinjtë nga të gjitha komunitetet për të jetuar, punuar dhe rritur familjet e tyre këtu”, ka shkruar ai.
Për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në veri, kanë reaguar edhe misionet tjera në Kosovë si dhe Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ambasada e Gjermanisë në Kosovë.