Më shumë se dy javë kanë kaluar prej kur është raportuar si i vrarë Faton Hajrizi, e trupi i tij ende nuk është kthyer në vendlindje. Javën e kaluar është dërguar strisho e gojës së nënës së tij, por ende nuk ka informata se sa do të zgjasë kthimi i rezultatit të analizës së saj. Njohës të sigurisë thonë se deri në fund të kësaj jave do të ketë zhvillime konkrete në identifikimin dhe qartësimin e identitetit të Faton Hajrizit. Të njëjtit thonë se institucionet vendore do të duhej të kishin bërë kërkesë që të dërgohet një ekspert vendor në Serbi. Megjithatë, shteti ende nuk ka pranuar përgjigje zyrtare lidhur me këtë rast.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka thënë KosovaPress-it se janë në komunikim me shtetet e QUINT-it, misionin e BE-së në Serbi, familjen e të ndjerit dhe avokatin e autorizuar nga familja.Avokati Ardian Bajraktari konsideron se është obligim i institucioneve që të dërgojë kërkesë për përfshirjen e një eksperti vendor.
Serbia do ta zvarris hartimin e raportit mjeko-ligjor, shton Bajraktari, ani pse thekson se në raste të ngjashme nuk ka pasur vonesa më shumë se dy javë.Ai shton se familja po bën përpjekje të vazhdueshme për kthimin e trupit të pajetë në vendlindje, ani pse konsideron se është e vështirë.
Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës dhe ishte në kërkim nga Policia e Kosovës. Pas disa ditëve, u shpall në kërkim edhe nga autoritetet serbe, meqë dyshohej për vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri në Lloznicë të Serbisë. Hajrizi u raportua se është vrarë në vendin e quajtur Banja Kovilaça.