Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar lidhur me vendimin e institucioneve të Kosovës për mbylljen e pikave të postës serbe në veri të vendit.
Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Bislimi ka shkruar se Posta e Serbisë ka vepruar ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës.“Strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal, nuk kanë vend në Republikën e Kosovës. Kjo, do të duhej të mbështetej fuqishëm edhe nga partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë”, ka shkruar Besnik Bislimi.
Postimi i tij i plotë:Posta e Serbisë ka vepruar ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës. Veprimet e ndërmarra ditën e djeshme nga Policia, janë vetëm në shërbim të mbrojtjes së sundimit të ligjit, konkurrueshmerisë, dhe kushtetutshmërisë në vend. Strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal, nuk kanë vend në Republikën e Kosovës. Kjo, do të duhej të mbështetej fuqishëm edhe nga partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë.
Republika e Kosovës punon çdo ditë që t'i përafrohet standardeve, vlerave e parimeve më të larta të Bashkimit Evropian. Përmes Marrevëshjes së Stabilizim-Asocimit që Kosova e ka me BE-në, ne si shtet obligohemi që sipas neneve 74, 75, 91, 94, 96 dhe 99, të ndërtojmë dhe praktikojmë ekonominë e tregut të lirë, t'i përmbahemi rregullave të mbrojtjes së konkurrueshmërisë në treg si dhe ndalimit, parandalimit dhe luftimit të aktiviteteve të tjera ilegale. Për më tepër, parakushtet kryesore për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian janë drejtësia, sundimi i ligjit dhe mbrojtja e respektimi i tyre.
Dialogu në Bruksel në vend se të përqëndrohej në çështjet qendrore dhe tejet të rëndësishme, e që lidhen me mohimin e Serbisë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit, të shprehur si përmes shkeljeve të shumëfishta por edhe nga letra zyrtare e deponuar në Shërbimin e Jashtëm të BE-së nga ish-kryeministrja Brnabiq, si dhe deklaratat e vazhdueshme nga presidenti Vuçiq dhe së fundmi kryeministrit Vuçeviq, BE-ja gatishmërinë e reagimit po e ka më të lartë në dënimin e Kosovës dhe rikthimin prapa të procesit në çështjet e dialogut teknik, duke kontribuar negativisht në ecjen përpara drejt marrëveshjes finale.
https://kosovapress.com/svecla-mbron-aksionin-per-mbylljen-e-degeve-te-postes-se-serbise