Datëlindja e akademikut Eqrem Çabej
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Më 6 gusht 1908 në Eskishehir të Turqisë u lind akademiku i shquar Eqrem Çabej.

Studimet fillore i kreu në Gjirokastër. Më pas kreu shkollën e mesme në Klagenfurt dhe, pasi braktisi fakultetin e mjekësisë në Romë, u regjistrua në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Gracit, e më pas në Universitetin e Vjenës, në Austri, ku dhe përfundoi studimet.

Me kthimin e tij në Shqipëri, dha mësim në gjimnazin e Shkodrës, në Shkollën Normale të Elbasanit, në Liceun e Tiranës, si dhe punoi për një kohë të shkurtër në Ministrinë e Arsimit.

Më 1940 filloi punën ambicioze për hartimin e Atlasit Gjuhësor të shqipes. Pas Luftës së Dytë Botërore ishte anëtar i Institutit të Shkencave e më pas pedagog në Universitetin e Tiranës dhe anëtar themelues e akademik në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Ndërkohë, jo vetëm puna e tij, por edhe jeta profesionale e intelektualit dëshmojnë se me atdhedashurinë nuk bënte kompromise. Kjo duket edhe nga dokumenti i shtatorit të vitit 1942 - dorëheqja e Çabejit nga anëtarësia në Institutin Mbretëror të Studimeve Shqiptare.

Çabej ka kryer studime në fushë të leksikologjisë, gjuhësisë historike të shqipes, dialektologjisë, etimologjisë, etj. Është autor i botimit kritik dhe faksimile të “Mesharit” të Gjon Buzukut dhe autor i Fjalorit Etimologjik të Gjuhës Shqipe.

Akademik Çabej ndërroi jetë pak ditë pas datëlindjes së tij së shtatëdhjetë e dytë, më 13 gusht 1980.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024