Prodhimi i 2 eurove false, arrestohet shtetasi nga Maqedonia e Veriut
Lajme
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua
Sot në Kosovë është arrestuar një shtetas i Maqedonisë së Veriut i dyshuar për prodhimin dhe shpërndarjen e parave të falsifikuara me prerje metalike prej 2 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut janë kryer kontrolle në tri lokacione.
Gjatë kontrollit u sekuestruan makineri për prodhimin e parave të falsifikuara me prerje metalike 2 euro, shabllone parash dhe materiale të tjera për prodhimin e monedhave të falsifikuara, duke përfshirë të gjithë lëndën e parë të prodhimit të tyre.
Me aktvendim të prokurorit të rastit nga Prokuroria Speciale e Kosovës, shtetasi maqedonas është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij në afat ligjor do të parashtrohet kërkesë në gjykatë për caktimin e masës për sigurimin e prezencës së tij në procedurë.
Ky operacion është mbështetur nga Europol dhe Eurojust/WB Crim Just Project.
Ndryshe, Prokuroria Special e Kosovës (PSRK) së bashku me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (PK/DHKEK), gjatë viteve 2023-2024 kanë ndërmarrë disa veprime për parandalimin e futjes së parave të falsifikuara, përkatësisht të parave në valutën euro, pasi që ishin hasur disa raste të vënies në qarkullim të parave të falsifikuara, të cilat kishin çrregulluar tregun e parave si dhe kishin dëmtuar interesin publik.
Këto lëndë penale ishin bërë pjesë e një hetimi ndërkombëtar, pas të cilave ishte krijuar Ekip i Përbashkët Hetimor (EPH) i përbërë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Policia e Kosovës nga njëra anë dhe Prokuroria Themelore në Shkup dhe Policia e Maqedonisë së Veriut nga ana tjetër, thuhet në komunikatë e përbashkët për shtyp e autoriteteve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.