MINT cakton marzhën tregtare për produktet e naftës
Biznes
Lexohet për: 2 min.
Me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg, MINT ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës, e cila do të hyjë në fuqi nga data 4 gusht 2024 dhe do të zgjasë 30 ditë.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nga monitorimi i rregullt i tregut të produkteve të naftës dhe bazuar në evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës lidhur me çmimet e furnizimit/importit të produkteve të naftës si dhe raportin e Inspektoratit të Tregut lidhur me çmimet e shitjes me pakicë të produkteve të naftës, ka evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror, çka përbën bazë/shkas për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse”, thuhet në një postim të MINT në Facebook.
Sipas këtij vendimi, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy euro centë për litër, ndërsa marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është 12 euro centë.
Mbikëqyrja e zbatimit të vendimit do të bëhet nga Inspektorati Qendror i Tregut në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore.
MINT njofton se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ditëve të ardhshme do të intensifikojë mbikëqyrjen e tregut edhe sa i takon cilësisë dhe sasisë së produkteve të naftës.