Gjykata Themelore Prishtinë, Departamenti Special ka caktuar masën nga një muaj paraburgim ndaj pesë të pandehurve D.C, D.N, M.SH, N.S dhe S.J, të gjithë të dyshuar se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.
Gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi nëse të pandehurit lihen në liri, paraqet rrezik që të njëjtit të ikin dhe të shmangen nga procedura penale, pasi janë shtetas të Serbisë dhe mund të jenë të pakapshëm për organet e drejtësisë, mund të bëjnë përpjekje të zhdukin provat materiale, si dhe të ndikojnë në të dëmtuar ose në të pandehur të tjerë, të cilët gjenden në arrati.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.