A mund të ketë zgjedhje të parakohshme në Kosovë, flasin ekspertët
1-First
Lexohet për: 3 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua
Data 26 janar e vitit të ardhshëm u vlerësua si më e përshtatshmja për t’u mbajtur zgjedhjet parlamentare nga tri partitë opozitare në takimin e thirrur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Por, po konsiderohet se ende ekziston mundësia për zgjedhje të parakohshme.
Lidhur me këtë, njohësi i rrethanave kushtetuese, Mazllum Baraliu dhe analisti politik, Fidan Ukaj kanë mendime të ndryshme.
Baraliu thotë se tashmë jemi brenda afateve kushtetuese dhe ligjore sa i përket mbajtjes së procesit zgjedhor dhe se nuk mund të veprohet jashtë tyre.
Sipas tij, propozimet njëzëri për shpalljen e datës së zgjedhjeve nga subjektet politike që kanë peshë në parlament, duhet të merren në konsideratë nga presidentja e vendit.
"Ashtu çfarë atyre iu intereson dhe si iu konvenon më shumë, por ajo datë që është propozuar nga tri subjektet politike, që kanë peshë në parlament dhe janë subjekte parlamentare faktikisht, në qoftë se pranohet edhe nga të tjerët mendoj që do të duhej të merret në konsideratë nga presidentja e vendit me rastin e caktimit të datës dhe marrjes së vendimit për shpalljen e zgjedhjeve...Për mua mendoj që do të ishte ashtu siç është përcaktuar me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe me kushtetutë. Meqë zgjedhjet kanë qenë më 14 shkurt, atëherë do të duhej në përputhje me mandatin, ashtu siç thotë ligji 60 ditë më herët dhe 30 ditë më së voni, të mbahen zgjedhjet dhe të mësohemi të respektojmë afatet ligjore dhe ligjet në fuqi...Unë mendoj që jashtë afateve kushtetuese tashmë nuk mund të veprohet dhe ne tashmë jemi brenda afateve kushtetuese dhe ligjore, ato thonë që zgjedhjet duhet të caktohen nga presidentja e vendit në konsultim me subjektet politike paraprakisht. Më së hershmi gjashtë muaj para afatit për tu mbajtur zgjedhjet dhe katër muaj më së voni”, thotë Baraliu.
Ndërkaq, Baraliu e quan papërgjegjësi dhe shkarje mospjesëmarrjen e partisë në pushtet LëvizjesVetëvendosje në takimin e mbajtur mes krerëve të partive opozitare dhe presidentes Osmani.
Në anën tjetër, mospjesëmarrjen e LVV-së në këtë takim, analisti politik, Fidan Ukaj e konsideron taktikë të kryeministrit Kurti për të shkuar në zgjedhje të parakohshme në nëntor të këtij viti.
Sipas tij, kjo mospjesëmarrje, refuzimi i datës 26 janar si mundësi e mbajtjes së procesit zgjedhor dhe aludimi nga deputetë të partisë në pushtet për data optimale, janë përpjekje të gjetjes së argumenteve nga kryeministri Kurti për të dhënë dorëheqje.
Përveç kësaj, Ukaj thotë se propozimi i Kurtit për të dërguar në takim, nënkryetarin Glauk Konjufca, ka qenë i qëllimshëm, ngase sipas tij ka qenë e ditur se do të refuzohej nga presidentja Osmani.
Më 31 korrik të këtij viti, është mbajtur një takim mes presidentes Vjosa Osmani dhe liderëve të partive opozitare, përfshirë PDK, LDK, AAK, si dhe disa partive të tjera më të vogla.
Ndërkohë, mosprania e kryeministrit Albin Kurti në këtë takim është shpjeguar me faktin se ai ishte angazhuar në një drekë me 21 ambasadorë të akredituar në Kosovë në atë periudhë. Zgjedhjet e fundit parlamentare në vend janë mbajtur më 14 shkurt të vitit 2021.