Grantet për blerje të makinerive, shpallet lista preliminare e 167 ndërmarrjeve përfituese
Biznes
Lexohet për: 3 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Ministrja e Industrisë Rozeta Hajdari dhe drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve Zef Dedaj kanë lansuar sot listën preliminare të 167 ndërmarrjeve përfituese në skemën e granteve për blerje të makinerive për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.

Në komunikatë thuhet se MINT përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), më 27 mars 2024 ka lansuar skemën e granteve për blerje të makinerive për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, me veprimtari prodhuese e përpunuese në sektorët prioritarë industrialë.

Përmes platformës e-Kosova janë pranuar gjithsej 560 aplikacione nga bizneset prodhuese e përpunuese vendore, prej të cilave Komisioni vlerësues ka bërë të ditur se 167 ndërmarrje plotësojnë kriteret ligjore dhe objektivat e Politikës Industriale 2030.

Në mënyrë që të përfitojnë të gjitha 167 ndërmarrjet prodhuese/përpunuese, të cilat janë kualifikuar sipas thirrjes publike me ndikim pozitiv direkt në bruto produktin vendor,  MINT me kërkesë për transfer drejtuar Ministrisë së Financave, ka rritur vlerën nga 1.7 milionë euro sa ishte në fillim, që do të mbështesë 60 ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme nga lista preliminare e 167 ndërmarrjeve, në vlerë totale 4.4 milionë euro, thuhet në komunikatë.

KIESA ka bërë publikimin e listës preliminare prej 167 ndërmarrjeve përfituese mikro, të vogla dhe të mesme, me veprimtari prodhuese dhe përpunuese në sektorët prioritar industrial në rritje.

Ndërmarrjet përfituese janë nga sektorët përpunimi i produkteve ushqimore, prodhim/përpunim i pijeve, prodhim/përpunim i tekstilit, veshjes dhe lëkurës, prodhim/përpunim i drurit dhe mobileve, prodhim/përpunim i produkteve të gomës dhe plastikës, prodhim/përpunim i produkteve minerale jo metalike, prodhim/përpunim i metaleve dhe prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike.

Ndërsa ndërmarrjet përfituese janë: Lot 1 - ndërmarrjet mikro, me të punësuar deri në 9 punëtorë, kanë vlerën përfituese 20 mijë euro, ku gjithsej kanë përfituar 75 ndërmarrje, në vlerë totale 1 milion e 363 mijë e 198 euro, Lot 2 - ndërmarrjet e vogla, me të punësuar 10 deri ne 49 punëtorë, kanë vlerën përfituese 35 mijë euro, ku gjithsej kanë përfituar 76 ndërmarrje, në vlerë totale 2 milionë e 420 mijë e 259 euro, Lot 3 - ndërmarrjet e mesme, me të punësuar 50 deri në 249 punëtorë, kanë vlerën përfituese 50 mijë euro, ku gjithsej kanë përfituar 16 ndërmarrje në vlerë totale 661 mijë e 014 euro.

Ndryshe, Politika Industriale 2030 synon transformimin e industrisë vendore në një industri më të integruar globalisht që është në gjendje të prodhojë produkte me vlerë të lartë të shtuar dhe të ofrojë punësim për të rinjtë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024