Sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, derisa është tentuar edhe të shtyhet fizikisht, ka konfirmuar për KosovaPress këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.
Ai ka bërë të ditur se në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të presidentes, por kjo e fundit ka lejuar një gjë të tillë pasi do të ishte shkelje e rëndë.Ai ka theksuar se sjellja arrogante dhe e dhunshme e zyrtarit të Aeroportit të Shkupit është e paprecedente dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë udhëtim të presidentes Osmani kudo në botë, përfshirë në shtete jo-njohëse.
“Vërehet qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Republikës së Kosovës dhe për të shkaktuar incident”, ka thënë Kupina.“Vlen të përmendet se pas hyrjes së Presidentes në aeroplan, Aeroporti i Shkupit nuk e ka lejuar aeroplanin komercial të niset edhe për më shume se një orë, me pretekstin se shteti slloven nuk po e lejon nisjen, për shkak se nuk do të ishte gati për aterrim. Kabineti i Presidentes e ka kontaktuar palën sllovene, të cilët na kanë informuar që një gjë e tillë absolutisht nuk është e vërtetë dhe se aeroplani do të mund të ateronte në kohën e planifikuar”, ka vijuar Kupina.
Presidenca e konsideron çdo sulm dhe trajtim të parregullt e në kundërshtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetëror si sulm ndaj vete shtetit të Kosovës.