Edhe 4 të arrestuar të tjerë për të shtënat me armë zjarri në Pastasellë të Rahovecit
Në vazhdën e hetimeve mbi të shtënat me armë zjarri gjatë një ahengu familjar më 30 korrik 2024 në Pastasellë të Rahovecit, Policia e Kosovës ka identifikuar dhe arrestuar edhe katër persona.
Fillimisht, policia pas disa të shtënave me armë zjarri gjatë një ahengu familjar, nga i dyshuari mashkull kosovar kishte konfiskuar një pistoletë me 12 copë fishekë dhe 7 gëzhoja.
Ndërkohë nga katër personat e arrestuar sot janë sekuestruar një armë zjarri e gjatë automatike, tri armë zjarri të llojit pistoletë, pesë karikatorë, 22 copë fishekë dhe 31 gëzhoja.
Veprimet hetimore janë ndërmarrë në koordinim me prokurorin e shtetit, me vendimin e të cilit është iniciuar rast “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe përdorim i armës apo mjetit te rrezikshëm”. Rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.
Ndryshe, përdorimi i armëve në festa dhe ahengje është i ndaluar dhe sanksionohet me ligj.