Lëvizja FOL: Qeveria realizoi vetëm 33 për qind të Planit Kombëtar për zhvillim për periudhën janar-qershor 2024
Lajme
Lexohet për: 4 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Lëvizja FOL ka publikuar të dhënat nga monitorimi i Planit Kombëtar për Zhvillim për periudhën janar-qershor 2024.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë në Lëvizjen FOL, tha se edhe këtë vit FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara në Planin Kombëtar për Zhvillim.

“Qeveria e Kosovës nga 147 aktivitete të parapara të realizohen brenda periudhës janar-qershor 2024 ka arritur të realizoj vetëm 49 apo 33 % nga to, ndërkaq 59 apo 40 % nga to kanë mbetur të parealizuara. Ndërsa, për 39 aktivitete apo (27 %) nga tri ministri (Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit), FOL nuk ka pranuar përgjigje se sa janë realizuar aktivitetet e tyre për periudhën e parë gjashtë mujore”, ka thwnw ajo.

Demolli-Nimani, listoi dhe ministritë të cilat s’kanë planifikuar asnjë aktivitet për periudhën e parë gjashtë mujore 2024 janë; Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Zhvillimit Rajonal, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim.

Ndërkaq Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL prezantoi të dhënat për secilën ministri sa i përket realizimit të aktiviteteve të parapara të përfundojnë brenda periudhës janar-qershor të vitit 2024 janë:

•              Zyra e Kryeministrit - kishte paraparë vetëm 16 aktivitete të realizohen gjatë periudhës janar-qershor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, nga to janë realizuar 13 dhe 3 kanë mbetur pa u realizuar.
•              Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural - në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 8 aktivitete brenda periudhës janar – qershor 2024. Prej tyre kanë realizuar 6 ndërkaq 2 janë të parealizuara
•              Ministria e Drejtësisë -  në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 36 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024. Vetëm 14 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 22 janë të pa përfunduara.
•              Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit - në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 3 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024, prej të cilave ka realizuar 1 dhe 2 të tjera janë të parealizuara.
•              Ministria e Ekonomisë - në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 18 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024. Vetëm 6 janë realizuar brenda afatit të paraparë ndërkaq 12 janë të parealizuara.
•              Ministria e Mbrojtjes - ka paraparë të realizojë vetëm 1 aktivitet gjatë periudhës janar-qershor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor i cili ka mbetur i parealizuar.
•              Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal - ka paraparë të realizojë vetëm 1 aktivitet gjatë periudhës janar-qershor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor i cili ka mbetur i parealizuar. Ndërkaq tri ministri nuk janë përgjigjur në pyetësorin e Lëvizjes FOL, dhe nuk dimë nëse i kanë realizuar aktivitetet e parapara apo jo.
•              Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit - në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të realizoj 11 aktivitetet brenda periudhës janar – qershor 2024.
•              Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës - në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor ka paraparë të përfundoj 19 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024.

Sipas Demolli-Nimanit, Lëvizja FOL ka bërë krahasimin ndër vite të realizimit të aktiviteteve në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor të parapara të përfundojnë në periudhën janar-qershor për vitet 2022, 2023, 2024. Në vitin 2022 niveli i zbatimit të Planit të Punës së Qeverisë ka rezultuar të jetë 48%, ndërsa në vitin 2023 Qeveria e Kosovës ka realizuar 34% dhe në vitin 2024 ky plan është realizuar vetëm 33 % për periudhën e parë gjashtë mujore.

Për dallim nga gjashtëmujori i parë i vitit 2022 ku kanë qenë të planifikuara 2077 aktivitete, në vitin 2024 sipas FOL kanë qenë vetëm 147, pra 1930 aktivitete më pak se në vitin 2022. Gjithashtu për periudhën e njëjtë në vitin 2022 janë realizuar 1032 aktivitete më shumë se në vitin 2024. Nga të dhënat e më sipërme del se puna e Qeverisë ka pësuar rënie në zbatimin e këtij plani në tri vitet e fundit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024