Lëvizja Vetëvendosje preferon që zgjedhjet e rregullta parlamentare të mbahen në vjeshtën e këtij viti. Në partinë në pushtet thonë se opozita s’mundet më t’i shtyjë pambarimisht zgjedhjet, andaj në takimin e sotëm të presidentes Vjosa Osmani me përfaqësuesit e partive politike duhet të caktohet data e zgjedhjeve mes vjeshtës dhe fillimit të vitit të ardhshëm.
Deputeti i LVV-së, Armend Muja në një intervistë për KosovaPress thotë se Bashkimi Evropian duhet të marrë shumë seriozisht refuzimin e Serbisë për zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit, që sipas tij u dëshmua edhe me deklarimin e kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq. Duke folur për presionin ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit, ai thekson se Kosova do t’i zbatojë obligimet e veta, por gjithmonë në përputhje me Kushtetutën e vendit si dhe kur ka një plan objektiv të sekuencimit të marrëveshjes. Ndërkaq, flet edhe për mundësitë e rritjes së pagave në sektorin publik para zgjedhjeve të reja parlamentare.Sipas tij është e nevojshme tërheqja e letrës së ish kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, të cilën e ka dërguar në BE, ku theksohet se Serbia s’do të zbatojë pjesë të marrëveshjes së Brukselit.
Ai thotë se emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak duhet të sjell një plan objektiv të sekuencimit të marrëveshjes.Krahas kësaj, Muja thotë se në bazë të Ligjit për menaxhimit të financave publike rritja e pagave mund të bëhet krahas rritjes ekonomike.
Mirëpo sipas tij, qeveria aktuale se ka mendësinë si ish-qeveritë e kaluara që të rritë pagat në prag të zgjedhjeve.