Komisioni për tekstet shkollore, PDK do t’i drejtohet Speciales për emërimet e reja
Lajme
Lexohet për: 3 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar se do të dërgojnë në Prokurorinë Speciale emërimet e reja në krye të Komisionit hetimor për tekstet shkollore, pas zëvendësimeve të kryetarit dhe zëvendës-kryetarit të këtij komisioni nga radhët e opozitës.

Ai në një postim në Facebook ka thënë se në panikun e gjetjeve të deritanishme në Komisionin hetimor parlamentar për hetimin e “aferës së keqpërdorimit të miliona eurove në emër të subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore”, deputetët e shumicës, anëtarë të këtij komisioni kanë vendosur që ta minojnë dhe bllokojnë hetimin përfundimtar të kësaj afere, duke u mbledhur sot në mënyrë të paligjshme, duke zëvendësuar kryetarin dhe zëvendës-kryetarin e këtij komisioni nga radhët e opozitës, të cilët i ka zgjedhur Kuvendi.

“Si grup parlamentar iniciues të këtij Komisioni Hetimor, vendimin e sotëm të deputetëve të shumicës parlamentare e konsiderojmë jo vetëm të paligjshëm, por atak të drejtpërdrejtë mbi mandatin e deputetit si përfaqësues i popullit, vendim i cili, në të njëjtën kohë është edhe një provë shtesë se pse pushteti i frikësohet hetimit të kësaj afere dhe pse ka vendosur që në mes të procesit ta bllokojnë këtë komision”, ka thënë Tahiri.

Ai ka theksuar se në bazë të nenit 10 të ligjit në fuqi për Hetimin Parlamentar, kryetari dhe zëvendës-kryetari i Komisionit hetimor i takon opozitës, andaj edhe Kuvendi në seancë plenare ka vendosur për përbërjen e tij me rastin e themelimit të Komisionit.

“Për këtë vendim të paligjshëm e të turpshëm, do të kërkojmë sqarime edhe nga kryetari i Kuvendit, para se t’i drejtohemi Prokurorisë Speciale për të hetuar këtë aferë korruptive, që ka për kryeprotagoniste ministren e Arsimit Arbërie Nagavci”, ka përfunduar Tahiri.

Ndryshe, pavarësisht mungesës së kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit, Komisioni hetimor për tekstet shkollore ka zhvilluar sot mbledhje, por që e njëjta u konsiderua jo ligjore dhe në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit. Megjithëkëtë, komisioni i përbërë nga deputetë të mazhorancës intervistuan tre ish-ministra të Arsimit, ndërsa ish-ministrja Hykmete Bajrami refuzoi të përgjigjet pasi tha se nuk merr pjesë në shkeljen ligjore të deputetëve të pushtetit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024