Minatorët pa paga, Sindikata: Qeveria nuk ka interesim për fatin e minierës
Biznes
Lexohet për: 2 min.
Minatorët e Trepçës ende nuk i kanë marrë pagat e muajit qershor. Për këtë ka reaguar Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, ku thuhet se “Qeveria nuk ka aspak interesim për fatin e minierës dhe minatorëve”.
“Tani që ndodhemi në fundin e muajit korrik, minatorët ende nuk i kanë marrë as pagën e muajit qershor! Interesimi për fatin e minierës dhe minatorëve nga qeveria, ministria dhe bordi i ndërmarrjes janë në nivelin zero. Vullneti i tyre për prosperitetin e kësaj ndërmarrje dhe premtimi për ditë të mira në ndërmarrjen Trepça SH.A., janë vetëm fjalë boshe dhe asgjë tjetër”, thuhet në reagim.
Sipas sindikatës, “Një qasje e till refuzuese ndaj ndërmarrjes Trepça Sh.A dhe minatorëve, duke i lënë të njëjtit buzë humnerës dhe duke ia pamundësuar ekzekutimin e pagave gati për dy muaj nën këto kushte të rënda financiare të minatorëve përben shqetësim serioz dhe sfidë që kërkon zgjidhje të menjëhershme”.
Më tej thuhet se: “Ta dini se një qasje e till ndaj minierës Trepça Sh.A dhe minatorëve të saj nga qeveria dhe ministria e saj paraqet rrezik serioz që të gjithë minatorët të gjejn zgjidhje tjera apo edhe të migrojnë jashtë vendit.
“Fatkeqësisht ndoshta ky edhe është qëllimi dhe dëshira e disave! Jeni duke i përbuzur minierën dhe minatorët, një ditë do i kërkoni. Reflektoni dhe ekzekutoni pagat”, thuhet në fund të reagimit.
Sot janë bërë 19 ditë nga hyrja në grevë e minatorëve të minierës së Stan Tërgut të ndërmarrjes publike “Trepça”, për shkak të mosrealizimit të pagave të muajit qershor dhe shujtave ushqimore.
https://kosovapress.com/16-dite-nga-greva-ne-trepce-shkaku-i-mos-ekzekutimit-te-pagave-mijera-euro-humbjet-ditore