Princesha Diana, princesha e Uellsit është ende në mendjen dhe në zemrat tona. Ajo ishte një grua plot jetë dhe gjallëri dhe u fali lumturi shumë njerëzve.
Kur Diana Spencer u takua me princin Charles lindi një histori dashurie. Diana ka qenë e pranishme në jetën e Charles-it që në moshë të re. Ata u takuan për herë të parë kur ajo ishte vetëm 16 vjeçe dhe ai dilte me motrën e saj më të madhe, Ledi Sarën. Diana i bëri shumë përshtypje atij, por ishte ende e re për t’u lidhur me të.Më 29 korrik 1981 të gjithë i kishin sytë te Ledi Diana. Ajo shkoi në ceremoninë e martesës e shoqëruar nga babai i saj, me karrocën që ishte përdorur më parë nga mbretëresha dhe princi Filip. Dasma e Dianës me princin Charles është konsideruar si “dasma e shekullit”.
Ajo ishte qytetarja e parë e thjeshtë britanike që u martua me një trashëgimtar të fronit të Britanisë, në pothuajse 300 vjet.“Unë nuk e dija se çfarë më priste. Një ditë shkoja në punë me autobus, ndërsa ditën tjetër isha princeshë”, ka thënë Diana.
Fustani i nusërisë së Dianës ishte një fustan i bardhë, i fryrë, me mëngë të mëdha, edhe ato të fryra dhe jakë me frudë.
Sapo u bë princeshë e Uellsit, ra në sy përkushtimi i Ledi Dianës për kauzat e bamirësisë. Ajo kishte shumë dëshirë të punonte për fëmijët dhe kjo dukej qartë në veprat e saj të bamirësisë. Princeshë Diana ishte presidente e fondacionit bamirës për fëmijë “Barnardo’s” nga viti 1984-1996 dhe mori pjesë në më shumë se 100 evenimente në emër të këtij fondacioni. “Sëmundja më e madhe prej nga vuan njerëzimi është mungesa e dashurisë. Unë mund të fal dashuri për një minutë, për gjysmë ore, për një ditë, për një muaj, ama mund të fal dashuri dhe jam shumë e lumtur që e bëj këtë”, është shprehur princeshë Diana.