Dy zyrtarë policorë në Pejë janë suspenduar me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës nën dyshimet për tejkalim të autorizimit.
Sipas informacioneve fillestare që kanë pranuar mbrëmë hetuesit e IPK-së dyshohet se zyrtarët policorë kanë tentuar të lirojnë përkohësisht një të dyshuar për armëmbajtje pa leje, i cili ishte arrestuar nga policia në Pejë dhe ishte në qendrën e ndalimit në stacionin policor të këtij qyteti.
Në kuadër të hetimit dhe veprimeve tjera të natyrës administrative, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit për dy zyrtarët policorë të dyshuar në këtë rast.
IPK në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast, thuhet në komunikatë.