“Shijo Kosovën” sjell këtë vit aktivitete të shumta për mërgatën në Kosovë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla ka marrë pjesë në ceremoninë e lansimit të edicionit “Shijo Kosovën”, përmes të cilit do të organizohen dhjetëra aktivitete e ngjarje të ndryshme për mërgatën në Kosovë.
Gërvalla tha se platforma “Shijo Kosovën” fuqizon lidhjen mes mërgatës dhe Kosovës, duke ofruar organizime të shumta që rrisin bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave në fusha të ndryshme.
“Platforma “Shijo Kosovën” është një mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve tona me mërgatën, duke kontribuar në ruajtjen dhe forcimin e identitetit dhe shtetit tonë”, ka thënë ajo
Ndërsa, zëvendësministrja Liz Gashi prezantoi platformën dhe aktivitetet, duke theksuar se përmes saj pasqyrohen aktivitetet kulturore, sportive dhe rekreative, të cilat zhvillohen në të gjitha komunat e Kosovës.
Në kuadër të thirrjeve publike të MPJD-së për mbështetjen e projekteve në fushën e përfshirjes së të rinjve nga mërgata dhe diplomacisë publike, gjatë këtij viti janë mbështetur 97 projekte, me vlerë totale mbi 800 mijë euro, kontratat e të cilave u nënshkruan në këtë ceremoni, thuhet në komunikatën e MPJD-së.