Kryeparlamentari Glauk Konjufca, në gjashtëvjetorin e vdekjes së simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, bëri homazhe dhe vendosi lule pranë varrit të tij në Prishtinë.
Duke kujtuar me pietet figurën poliedrike të Adem Demaçit, i pari i Kuvendit tha se veprimtaria politike dhe intelektuale e tij është e shtrirë në më shumë se gjashtë dekada.“Jo vetëm që ka dhënë shembullin e guximit me veprimtarinë e vet të drejtpërdrejtë, por ka dhënë një orientim shumë të rëndësishëm për popullin tonë. Në të njëjtën kohë ka shkruar edhe shumë libra, duke qenë një shkrimtar i jashtëzakonshëm. Veprimtaria e tij politike na frymëzon edhe neve që jemi përgjegjës të institucioneve publike, por gjithashtu edhe vepra e tij si shkrimtar duhet të studiohet më shumë”, tha ai.
Ndryshe, sot bëhen gjashtë vjet që kur ndërroi jetë veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i njohur si Mandela i Kosovës. Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai u quajt edhe Nelson Mandela i Evropës.
Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri në vitin 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).