Sveçla përgënjeshtron Ramadanin, thotë se nuk është sulmuar në Ujman
Lajme
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka reaguar pas deklarimeve të ish- kryeinspektorit të AKI-së Burim Ramadani, se është sulmuar në liqenin e Ujmanit, duke thënë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

“Unë asnjëherë nuk jam sulmuar në Liqenin e Ujmanit, as me AK-47 e as me asnjë metodë apo mjet tjetër. E gjitha është fabrikim i tij, arsyet nuk i di. Unë kam qenë në Ujman me barkë të shtunën së bashku me kryeshefin e Ibër Lepencit dhe shefin e NjNSh-së së kufirit, vizitë e cila jo vetëm se ka shkuar shumë mirë por ka qenë edhe shumë produktive”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai ka theksuar se sulmet mund të ndodhin, por ato as “nuk na frikësojnë as nuk na zmbrapsin”.

“Unë veç lutem që nëse kjo të ndodhë, mos të pësojnë njerëzit përreth meje. Edhe po, shkoj shpesh edhe te Kukësi, Tropoja, Hasi e Dragashi, se e kam një amanet prej shumë gjeneratash për atë kufirin atje. Nuk do të reagoja ndaj kësaj gënjeshtre, siç nuk reagoj ndaj shumë të tjerave, po të mos njihej fakti se ky person ka mbajtur një pozitë ku integriteti do të duhej të ishte një ndër cilësitë kryesore”, përfundon reagimi.

Ndryshe, ish-kryeinspektori i AKI-së Ramadani ka theksuar dje për media se në fillim të korrikut të këtij viti ministri Sveçla është sulmuar me armë në Ujman.

“Ne e kemi dhe është e konfirmuar, nëse jo le të del ministri i Brendshëm dhe ta demantojë. Në fillim të korrikut e kanë gjuajt në Ujman, e kanë gjuajtur me kallash edhe ka ikur. Bile po bëjnë shaka, po thonë në Kukës ka shkuar. Ka qenë me barkën e vogël me polici dhe prej anës tjetër e kanë gjuajtur me kallash edhe janë larguar kanë ikur”, ka deklaruar ai.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024