Rama: 75 mijë turistë vizituan Muzeun Etnografik të Krujës
Muzeu Etnografik i Krujës, monument kulture i kategorisë së parë ka hapur dyert për turistët me mbi 3000 artefakte të ekspozuara që tregojnë për trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë, mënyrat tradicionale të jetesës së shqiptarëve dhe zakonet e tyre përgjatë shekujve.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky muze i rilindur, falë financimit të Bashkimit Europian.
Rama bëri të ditur se ky thesar arkitekturor dhe atraksion turistik është vizituar deri më tani nga 75 mijë turistë ose me 110% më shumë, krahasuar me 6-mujorin e parë të 2023-shit.
I vendosur në rezidencën historike të familjes Toptani, e ndërtuar në vitin 1764, ky muze paraqet trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë.
Muzeu Etnografik i Krujës është një ndërtesë e tipit “çardak”. Banesa është monument kulture e kategorisë së parë.
Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara./ATSH