Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Marrëveshja Bazike e Brukselit e 27 shkurtit të vitit 2023, është një moment i radhës përmes së cilit u arrit të materializohen karakteristikat e shtetit të pavarur të Kosovës sipas parimeve të së drejtës ndërkombëtare në të cilat bazohet mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Kurti e nisi mbledhjen e Qeverisë, duke thënë se këtë javë, gjithashtu, 14 vjet më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e vulosi në mënyrë të pakthyeshme ligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
“Nga muaji i ardhshëm mbi 400 mijë fëmijë do t’i marrin shtesat e tyre me rritje. Është dashur që fillimisht të ketë shtesa për të pasur pastaj rritje të tyre. E ne jemi të lumtur që na është dhënë mundësia përmes vullnetit të qytetarëve tanë që edhe t’i nisim edhe t’i rrisim shtesat për fëmijët që janë e tashmja dhe e ardhmja e Republikës së Kosovës”. Ka thënë ai.
Kryeminbistir Albin Kurti ka uruar mirëseardhje mërgatës sonë, e cila tashmë ka filluar të vijë e t’i dinamizojë qytetet tona, dhe i ftoj që të marrin pjesë në organizimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kushtuar mërgatës, bashkatdhetarëve tanë, më 30 korrik, në Sheshin “Skënderbeu”, që nisë qysh në orën 10:00 e vazhdon deri në mbrëmje vonë, me muzikë, kënde argëtimi e kënde informimi.