Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në fillim të këtij muaji është takuar me kryekriminelin Milan Radoiçiq.
Sipas burimeve të RTK-së brenda organeve të sigurisë së Kosovës, takimi ka ndodhur gjatë vizitës që presidenti serb ka pasur në qytetin e Kragujevcit, në fillim të muajit korrik. Sipas burimeve, në këtë takim është diskutuar për tema të ndryshme, përfshirë mbështetjen e grupit kriminal të Milanit Radoiçiqit, për protestat e mundshme, për opozitën në Serbi si dhe shkaktimin e incidenteve/sulmeve në veri të Kosovës.Thuhet se Vuçiq i ka konfirmuar Radoiçiqit fuqizimin e mbështetjes së shtetit dhe të institucioneve të Serbisë për vazhdim të aktiviteteve të tyre, ndërsa Radoiçiq ka shprehur edhe një herë besnikërinë ndaj Vuçiqit.
Do theksuar se institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare të sigurisë, në vazhdimësi kanë paralajmëruar mundësinë e provokimeve dhe sulmeve të tjera nga grupi i Milan Radoiçiqit, i cili po kryen trajnime të vazhdueshme dhe po strehohet në Serbi.
Të dielën, në afërsi të Liqenit të Ujmanit, pati një sulm me mjet shpërthyes, ku u dëmtuan dy automjete që ishin të parkuara. Ky sulm, sipas burimeve të RTK-së, kishte për qëllim kërcënimin dhe frikësimin e qytetarëve që po kalonin fundjavën në këtë liqen.