Ish-pjesëtari i Zonës Operative të Nerodimes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani është dërguar në paraburgim ekstradues prej 30 ditëve në burgun Shutka, pasi u arrestua dje në vendkalimin kufitar Jazhincë në Maqedoninë e Veriut, bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia.
Ramadani, i është dorëzuar autoriteteve në Tetovë për veprime të mëtutjeshme.Ramadani thotë se shqiptarët që janë pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut duhet të sillen me më shumë përgjegjësi dhe të bëjnë të qartë se cilat janë “vijat e kuqe” në raport me vlerat kombëtare shqiptare kudo që janë.
Ish-kryeinspektori i AKI-së ka thënë për KosovaPress-in se Qeveria e re në Shkup është e përbërë kryesisht nga eksponentë që janë pro-Beogradit zyrtar, të cilët e kanë shpallur Serbinë si aleatin kryesor të tyre.“Topi” sipas tij është në duart e shqiptarëve pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut të cilët kanë luftuar me gjithçka për të zënë atë pozitë. Sipas tij, gabimi i parë nga ana e shqiptarëve është mundësia e dhënë Ivan Stoiljkoviq si zëvendëskryeministër, i cili është i njohur si politikan i afërt me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kreun e Republikës Serbe Milorad Dodik.
Sektori për Punë të Brendshme – Tetovë (SPB) konfirmoi se dje në vendkalimin kufitar Jazhincë është ndaluar një 47-vjeçar shtetas i Kosovës i cili kërkohej nga Interpoli i Serbisë. I njëjti i është dorëzuar zyrtarëve policorë në SPB-Tetovë për procedurë të mëtutjeshme.