Musliu: Grupi terrorist serb po kryen ushtrime në rrethinë të Novi Pazarit, Kopaonikut e Kralevës
Lajme
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua
Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu deklaroi se kërcënimi nga Serbia vlerësohet si shumë i lartë. Pas raportimit të drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, ajo shtoi se grupi terrorist serb është duke kryer ushtrime në rrethinën Novi Pazar, Kopaonik e Kralevë me mbështetje të Beogradit zyrtar. Po ashtu, Musliu theksoi se ky grup i udhëhequr nga Milan Radojiçiq në vazhdimësi planifikon e diskuton mundësitë për sulme.
Pas raportimit të drejtorit të AKI-së, deputetja e PDK-së tha se autoritetet në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë janë duke kryer punën e tyre dhe nuk ka vend për shqetësim.
Në konferencë për media ajo theksoi shërbimet sekrete serbe vijojnë të kenë qëllim cenimin e sigurisë së Kosovës, për çka shtoi se janë rritur edhe aktivitetet hibride që synojnë polarizimin e shoqërisë dhe përhapjen e lajmeve të rreme.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës tha se avancimi i projektit nacionalist serb “Bota Serbe”, vlerësohet se do të ketë ndikim në sigurinë rajonale.
Ajo nuk komentoi deklaratat e përfaqësuesve shtetërorë lidhur me sigurinë në vend, veçse tha se në mbledhjen e komisionit është interesuar nëse autoritetet kanë marrë mësimet nga rasti i Banjskës.