Këshilli Prokurorial reagon ndaj miratimit të Projektligjit të ri për KPK-në
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar ndaj miratimit të Projektligjit të ri për KPK-në nga Kuvendi i Kosovës.

KPK ka thënë se Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka injoruar dhe refuzuar komentet, sugjerimet dhe propozimet e përfaqësuesve të deleguar të KPK-së në grupet punuese, të formuara nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe në komisionet e Kuvendit të Republikës së Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit të ri për KPK-në, i cili është miratuar më 11 korrik 2024.

KPK vlerëson se kjo praktikë e njëanshme e miratimit të akteve ligjore, tregon qartazi se Qeveria e Kosovës dhe shumica në Kuvendin e Kosovës, me vetëdije dhe në emër të reformave, synojnë të bëjnë të kundërtën e reformës, pra bllokimin dhe defunksionalizimin e sistemit prokurorial.

“KPK-ja thekson se miratimi i këtij ligji përbën mosrespektim dhe shkelje të hapur të parimeve kryesore të Deklaratës së Përbashkët të Zotimit, që, në vetvete, paraqet një lloj absurditeti të llojit të rrallë, ngaqë përbërja e Ekzekutivit aktual, gjegjësisht, Ministria e Drejtësisë, nuk po arrin assesi të shmangë qëndrimet politike në raport me sistemin prokurorial, duke mos përfillur sugjerimet e shumanshme dhe duke rënë në kundërshtim jo vetëm me kërkesat e bazuara të përfaqësuesve të KPK-së, por edhe me kërkesat dhe rekomandimet e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe organizatave vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e KPK-së.

KPK-ja është shprehur mirënjohëse dhe falënderuese ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe të shoqërisë civile në vend, të cilët sipas KPK-së u vunë në mbrojtje të këtyre parimeve dhe insistuan me ngulm që Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës të mos injorojnë rekomandimet e institucioneve vendore, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së sa i përket Projektligjit për Këshillin Prokurorial.

“Me këtë rast, KPK-ja është bashkuar plotësisht me thirrjet dhe apelet kuptimplota për respektimin e normave dhe standardeve evropiane para miratimit të këtij ligji dhe ligjeve të tjera në Kuvend, duke kritikuar ashpër qasjen e pushtetit lidhur me cenimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese të vendit, siç është KPK-ja”, thuhet tutje.

“Realisht, kjo tendencë e pushtetit, e zbuluar tashmë plotësisht, paraqet ndërhyrje rigoroze në sistemin prokurorial dhe në tërë sistemin e drejtësisë, duke përtërirë çdo ditë veprime dhe lloj-lloj farsash dhe insinuatash, me qëllimin e vetëm që në emër të kinse synimit të fuqizimit të llogaridhënies më të madhe në sistemin prokurorial, të arrihet ekuilibri i përbërjes me anëtarë prokurorë dhe joprokurorë, por që, në vetvete është tentim për kapjen dhe dirigjimin e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit dhe cenon mandatin kushtetues dhe pavarësinë e sistemit prokurorial, duke pamundësuar funksionalizimin e tij dhe duke e bërë atë lehtësisht të ndikuar nga politika”, thuhet në njoftimin e KPK-së.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, potencon se mbetet i përkushtuar për të mbështetur proceset reformuese dhe angazhohet që së bashku me të gjithë partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, të bashkëveprojë në çdolloj nisme që ka për qëllim reformimin e nevojshëm.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024