Rikthimi te Barcelona prioritet për Cancelon që lidhet me Juventusin
Sport
Lexohet për: 1 min.
Mediat italiane e kanë lidhur Joao Cancelo me një kalim te Juventusi, por sipas ekspertit të transferimeve Matteo Moretto, prioriteti i portugezit është rikthimi te Barcelona.
Matteo Moretto bën të ditur se një kthim te Barcelona është prioriteti i mbrojtësit të Manchester Cityt, Joao Cancelo, raporton KosovaPress.
Mbrojtësi portugez është rikthyer te City pas një periudhe njëvjeçare te Barcelona, por ai tashmë e ka informuar agjentin e tij, Jorge Mendes, se dëshiron të luajë sërish për “Blaugranët”.
Moretto shkroi se Barcelona ‘do të bëjë përpjekje’ për të mbajtur mbrojtësin me përvojë. Moretto shtoi se Cancelo mori oferta nga klubet saudite edhe nga ato evropiane. Megjithatë, prioriteti i qartë i Cancelos është kthimi në Barcelonë.
Lajmi mund të jetë zhgënjyes për ata tifozë të Juventusit që donin ta shihnin portugezin të rikthehej në Torino.
“La Stampa” dhe burime të tjera italiane kanë pohuar se drejtori sportive i Juventusit, Cristiano Giuntoli ishte në bisedime me Mendes për rikthimin e mundshëm të Cancelo në “Allianz Stadium”.