RrGK: Kuvendi ta rishikojë Ligjin për KPM-në, shkel Ligjin për Barazinë Gjinore
Lajme
Lexohet për: 3 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar ndaj Ligjit të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), ligj ky që u miratua dy ditë më parë në Kuvendin e Kosovës.

Sipas RrGK-së, ekzekutivi dhe parlamenti kanë dështuar për të respektuar barazinë gjinore në këtë ligj.

“Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) reagon fuqishëm për vendimin e parlamentit për të hequr zotimet paraprake për barazinë gjinore nga Ligji i ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), të miratuar të enjten. Neni 10 i Ligjit të mëparshëm kërkonte që të paktën dy nga shtatë anëtarët e KPM-së të ishin gra. Ligji i ri nuk përmban një kërkesë të tillë, edhe pse e rriti kuotën në tre në vend të dy përfaqësuesve nga grupet etnike pakicë”, thuhet në komunikatën e RrGK-së.

“Dështimi i qeverisë dhe i parlamentit për të kërkuar një ekuilibër gjinor në KPM është në kundërshtim me Ligjin për Barazi Gjinore të vitit 2015, i cili kërkon që të gjitha organet në Kosovë të mbajnë një ekuilibër gjinor, të përcaktuar si 50% e secilës gjini. RrGK-ja është thellësisht e shqetësuar nga dështimi i parlamentit për të siguruar që Ligji për Barazinë Gjinore të zbatohet. Përfaqësimi i ulët i grave në vendimmarrje mund të kontribuojë në dëgjimin e pamjaftueshëm të zërit të grave në proceset vendimmarrëse. Si rezultat, puna e KPM-së mund të mos pasqyrojë në mënyrë adekuate nevojat dhe prioritetet e grave në të ardhmen”, thuhet më tutje në komunikatë.

Po ashtu, thonë se ndajnë shqetësimet se ligji nuk pasqyron rekomandimet e bëra nga Këshilli i Evropës.

Gjithashtu ndajmë shqetësimet e shprehura nga Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja se Ligji nuk pasqyron rekomandimet e bëra nga Këshilli i Evropës.

“ Duke kujtuar hulumtimin tonë të fundit që diskuton dëmet që mediat sociale mund të shkaktojnë ndaj grave, vajzave dhe personave të komunitetit LGBTQIA+, ne jemi gjithashtu të shqetësuar se ligji nuk përmban kritere dhe procedura të qarta për adresimin e përmbajtjeve të dëmshme siç është dhuna kibernetike me bazë gjinore”, thuhet aty.

RrGK, ka edhe një thirrje për Kuvendin e Kosovës dhe Qeverinë.

“Prandaj, RrGK i bën thirrje parlamentit që të rishikojë këtë Ligj në konsultim të ngushtë me ekspertë ligjorë, të medias dhe të shoqërisë civile; të ndryshojë Nenin 14, duke siguruar pjesëmarrje të barabartë të grave dhe burrave në KPM; dhe të vendosë kritere dhe procedura më të qarta për trajtimin e përmbajtjes së dëmshme, veçanërisht dhunës kibernetike me bazë gjinore. Për më tepër, RrGK i bën thirrje qeverisë dhe parlamentit të sigurojnë zbatimin e Ligjit për Barazinë Gjinore në legjislacionin dhe politikat e ardhshme duke përfshirë një kuotë për pjesëmarrjen e barabartë (50%) të grave dhe burrave në të gjitha organet. Kjo është thelbësore për barazinë, përfaqësimin, gjithëpërfshirjen dhe vendimmarrjen më demokratike që përfaqëson interesat e grave dhe burrave. RrGK gjithashtu bën thirrje për një kuotë gjinore për pjesëmarrjen e grupeve pakicë në komisione si KPM dhe organe të tjera vendimmarrëse, në mënyrë që të dëgjohen zërat e ndryshëm të grave dhe burrave”, thuhet në komunikatën e RrGK-së.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024