Platforma X e miliarderit, Elon Musk, po mashtron përdoruesit me llogaritë e verifikuara dhe po shkel rregullat e përmbajtjes të Bashkimit Evropian, tha Brukseli më 12 korrik, njoftim që mund të çojë në gjoba të majme.
Rregullatorët e BE-së nuk janë të kënaqur me sistemin e verifikimit të llogarive në X, nën pronësinë e Muskut, pasi që kushdo që ka abonim premium mund të verifikojë llogarinë. Më herët, para se Musk të blinte platformën – që paraprakisht quhej Twitter – llogaritë e verifikuara ishin të rezervuara për liderët, kompanitë dhe gazetarët, pas miratimit.X bëhet kompania e tretë që përballet me vërejtje të BE-së për shkelje të rregullave të reja, pasi Brukseli paralajmëroi kompanitë Apple dhe Meta që të ndryshojnë mënyrën se si funksionojnë ose do të përballen me gjoba masive për shkelje të ligjit të dytë të njohur si Akti i tregjeve digjitale (DMA).
KE-ja po ashtu akuzon kompaninë X se ka dështuar të respektojë rregullat sa i përket transparencës së reklamimit, pasi kompania nuk ofron një bazë të të dhënash “ku mund të bëhen kërkime dhe që është e besueshme”. Po ashtu, blloku thotë se kompania e Muskut nuk u ka dhënë qasje hulumtuesve në të dhëna publike.Sipas DSA-së, gjobat mund të shkojnë deri në 6 për qind të fitimeve vjetore të një kompanie në botë dhe ta detyrojë atë të bëjë ndryshime për të adresuar shkeljet. X mund të analizojë vërejtjet e BE-së dhe të mbrojë veten. Sipas rregullave, nuk ka afat kohor sa mund të zgjasë një hetim. X ka mbi 45 milionë përdorues aktivë në muaj në BE. /REL