Qeveria e Kosovës ka mbrojtur Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), që u miratua në lexim të dytë gjatë seancës plenare të 11 korrikut. Ky ligj veç tjerash parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.
Miratimi i këtij projektligji u kritikua nga Bashkimi Evropian, nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, dhe dy parti opozitare, që paralajmëruan se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.Për këtë projektligj, disa ditë para se të miratohej në lexim të dytë, kishte reaguar Zyra e BE-së në Kosovë, duke thënë se pavarësisht se versioni aktual ka përfshirë disa rekomandime të Këshillit të Evropës, legjislacionit i duhen rishikime të mëtejme që të përmirësohet qartësia ligjore dhe të përshtatet edhe më shumë me standardet e bllokut evropian dhe Këshillit të Evropës.
Projektligji i miratuar të enjten, më 11 korrik, parasheh licencimin dhe kontrollimin e mediave online që prodhojnë video prej KPM-së, më herët në këtë organ kanë qenë të obliguara që të regjistrohen vetëm mediat audio-vizuale.
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) - i themeluar në vitin 2005 - është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.
Sipas tij, mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me vlerë në deri 40.000 euro për shkeljet eventuale siç janë: mosrespektimi i ligjit, mosdorëzimi i raportit vjetor te KPM-ja brenda afatit, mosruajtja e arkivit të transmetimeve, mosrespektimi i kohës së përcaktuar për transmetim, si dhe për disa raste të tjera.
Anëtarët e KPM-së votohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe, sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), kjo rritje e stafit në KPM mund të keqpërdoret nga Qeveria “për t’i dërguar njerëzit e tyre”, të cilët do të mund të qëndronin më gjatë në pozitat e tyre, duke rrezikuar kështu, sipas tyre, pavarësinë e KPM-së.
rojektligj për KPM-në është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 27 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës, ku është miratuar në lexim të parë më 7 mars të këtij viti. Pas miratimit në lexim të dytë, duhet të nënshkruhet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Misioni i OSBE-së dhe i BE-së më herët kanë thënë se mbështesin qëllimin e projektligjit për të harmonizuar legjislacionin e Kosovës me dispozitat përkatëse të BE-së, duke përfshirë Direktivën e shërbimeve audio-vizuale, por, "siç thekson raporti i Këshillit të Evropës, nevojitet më shumë punë në draft për të siguruar që ai mos të nënvlerësojë pavarësinë e KPM-së dhe as të mos krijojë mospërputhje ligjore”./REL/